Shfaqja e dhimbjes muskulore është fenomen i zakonshëm pas stërvitjeve dhe në shumicën e rasteve kjo do të thotë që muskujt tonë po bëhen më të fortë.
Secili program stërvitor në të cilin angazhohemi është mjaft sfidues, duke filluar prej përshtatjes së orarit për të ushtruar, caktimit të qëllimeve, rutinës së ushqyeshmërisë etj. Nëse të gjithë kësaj i shtojmë edhe pezmatimin muskulor, atëherë ndjekja e ushtrimeve për periudha të gjata kohore bëhet shumë e vështirë. Gjasat janë shumë të mëdha që të mos ngriheni nga shtrati për të shkuar në palestër kur dhimbjen muskulore e ndjeni edhe gjatë pastrimit të dhëmbëve.
Pas angazhimit në çfarëdo aktiviteti të fuqishëm (aktiviteti i fuqishëm varet nga niveli individual i fitnesit), veçanërisht kur forma e ushtrimeve është e re për trupin tonë, është normale të përjetojmë pezmatim muskulor. Ky pezmatim shkaktohet nga mikroruptura (mikroskopike) të shumta të cilat ndodhin në muskujt të cilët i angazhojmë për kryerjen e ushtrimeve, të cilat janë të shoqëruara edhe nga inflamacioni dhe këto të dyja e shkaktojnë dhimbjen (ndezjen).
Edhe bodybuilder-ve ju shfaqet ky fenomen
Askush nuk është imun ndaj këtij fenomeni. Sikurse fillestarët, ashtu edhe individët e trajnuar për kohë shumë të gjatë preken nga “ndezja” muskulore.
Është pothuajse e pamundur të ushtrohet në nivel të tillë që të mos shkaktojmë pezamtim muskulor, sidomos në rastet kur nevoja për rritje të performancës është e menjëhershme. Në rastet kur individët janë fillestar, është normale të iu kumtohet informata që një gjë e tillë mund dhe duhet të ndodh dhe arsyet se përse shkaktohet një fenomen i tillë. Kjo mund të ndikojë pozitivisht tek subjekti i cili i nënshtrohet një regjimi të ushtrimeve, në mënyrë që ai të mos dekurajohet nga fakti i dhimbjes së muskujve, pasi që kjo është vetëm fazë kalimtare dhe nuk zgjat përgjithmonë.
Ndihmoni muskujt e “ndezur” në këtë mënyrë
A mund të bëhet diçka për të lehtësuar dhimbjen e muskujve?
Natyrisht, një numër i madh i hulumtuesve janë fokusuar në gjetjen e formave për të lehtësuar pezmatimin muskulor. Mjete shërimi si akulli, pushimi, medikamentet anti-inflamatore, masazha, nxehtësia, dhe zgjatjet janë raportuar si faktor lehtësues të këtij fenomeni.
Nga hulumtimet e shumta është vërtetuar se njëra nga format më efektive dhe me koston më të ulët për lehtësimin e pezmatimit muskulor është vrapimi ose aktiviteti aerob i lehtë (rreth 50-60% i kapacitetit maksimal aerob), por kjo nuk do të thotë që kjo formë, apo të gjitha format tjera bëjnë mrekulli. Këto forma lehtësimi duhet të kuptohen vetëm si faktor lehtësues. Për më tepër, disa nga këto forma lehtësuese janë paraqitur të kenë efekte negative në adaptimin e muskujve ndaj një stimuli të caktuar e në princip, arsyeja pse e fillojmë një rutinë stërvitore është ta adaptojmë trupin ndaj stimujve të tillë.
Mënyra më e mirë për t’i ikur shfaqjes së pezmatimit muskulor është rritja graduale e intensitetit të punës për individët të cilët ushtrimet i shfrytëzojnë për qëllime shëndetësore, e ata të cilët dëshirojnë të ndërtojnë trup të bukur dhe në kohë më të shkurtër, ta durojnë dhimbjen!